Site icon Telegrafi

Kurti lëshon seancën e Kuvendit, thotë se mund të kthehet në orën 22:00 dhe të diskutojë deri në mëngjes

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka lëshuar seancën e Kuvendit në orën 16:00, ku ishte ftuar për të raportuar për dialogun me Serbinë.

Duke iu drejtuar deputetëve, Kurti ka thënë se i duhet të shkojë, por iu ka propozuar atyre që nëse e konsiderojnë shumë të rëndësishëm debatin mund të kthehet në orën 22:00 dhe të qëndrojë deri në mëngjes, transmeton Telegrafi.

“Unë tani duhet të shkoj në orën 16:00, por e kam një propozim; nëse e konsideroni shumë të rëndësishme mund të vij kur të lirohem në orën 22:00 dhe të diskutojmë deri në orën 07:00 të mëngjesit të nesërmen kur e kam takimin e parë”, ka deklaruar kreu i ekzekutivit kosovar para se të largohej nga seanca.

Sa i përket dialogut, ai ka potencuar se nuk është në top tri prioritetet e tij.

“Po e potencoj atë që e kam thënë para disa seancave të Kuvendit, për nga vëllimi i punës që bëj si kryeministër dhe për nga intensiteti i aktiviteteve, nuk është dialogu në top tri prioritetet e mia. Duhet ta kuptoni këtë gjë. Kështu kam thënë para më shumë se 2 vjetëve. Por, është një gjë tjetër; nëse ndiqni debatet që zhvillohen çfarë përshtypje krijohet për preokupimet dhe agjendën qeveritare. Shumë më e rëndësishme për mua është që të diskutohet për projektligjet”.

“Sa puna është në ekzekutiv, nuk është dialogu në top tri prioritet e para. Dhe besoj që nuk ka qenë as për qeveritë e kaluara. Unë duke pasur parasysh marrëveshjet që i keni bërë si PDK e LDK më herët, nuk e kam ditur që juve ua nin kaq shumë për marrëveshje. Se me pas ditur që kaq shumë ua nin unë kisha thirr edhe seancë të jashtëzakonshme për dialogun. Po kam menduar që juve nuk ua nin për marrëveshje se e kam parë çfarë marrëveshje keni bërë në të kaluarën”, ka thënë Kurti mes tjerash. /Telegrafi/

Exit mobile version