Telegrafi

Kurti krenohet me investimet e huaja direkte: Janë rritur 2.4 herë më shumë krahasuar me qeveritë e kaluara

Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se mesatarja vjetore e Investimeve të Huaja Direkte (IHD) gjatë qeverisjes së tij ka arritur në 705.6 milionë euro, që është 2.4 herë më shumë sesa mesatarja vjetore prej 299.8 milionë euro gjatë qeverive të kaluara që nga viti 2007.

“Qeverisja e mirë dhe e ndershme, me besueshmëri dhe kënaqshmëri të lartë qytetare, sundimi i ligjit, përparimi demokratik, stabiliteti institucional, reformat ekonomike, përgjegjshmëria fiskale, politikat tatimore të përshtatshme, mbështetja e investimeve përmes garantimit të kredive, fuqia punëtore e kualifikuar, e me skemat e punësimit të subvencionuara nga qeveria po e bëjmë shtetit tonë një destinacion përherë e më shumë tërheqës për investime dhe opsion gjithnjë e më të favorshëm për investitorë të huaj,” ka deklaruar Kurti.

Kryeministri theksoi se kjo rritje është një dëshmi e qeverisjes së tij, duke vlerësuar se politikat dhe reformat që kanë ndërmarrë janë kyçe në tërheqjen e investimeve të huaja, të cilat janë thelbësore për zhvillimin ekonomik të vendit. /Telegrafi/