Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se situata aktuale energjetike nuk ka zgjidhje të lehtë.
Kurti në seancën plenare lidhur krizën energjetike ka deklaruar se duhet zgjedhur mes reduktimeve, subvencionimit të energjisë nga shteti dhe shtrenjtimit të faturës së konsumatorëve.
“Nga dita e djeshme nga ajo që mund të shohim është që piku nuk po bie. Ka qenë 1,380kWh, por edhe konsumimi është shumë i lartë. Edhe ngarkesa bazë është rritur, para një jave ka qenë 700kWh, mbrëmë ka qenë 908kWh. Piku s’po bie, lajm i mirë është rikthimi i bllokut B2. Importi ka rënë përgjysmë. Nuk ka zgjidhje të lehtë, s’ka as zgjidhje optimale sepse kriza është e rëndë”, ka deklaruar Kurti.
Kurti deklaroi se në katër vjetet e fundit, Kosova kurrë s’ka pasur më shumë qytetarë që nuk e dinë se sa paguajnë për energjinë elektrike.
“Kurrë nuk ka pasur numër më të madh të qytetarëve të Republikës së Kosovës sesa në këto katër vitet e fundit që nuk e dinë se sa paguajnë për energji elektrike. Aq lirë ka qenë, sa që nuk e kanë ditur as sa paguajnë. Në historinë e Kosovës, numër më të madh të qytetarëve që nuk e kanë ditur sa e kanë faturën, nuk ka pasur. Nuk po them që shumica janë të tillë, por numër më të madh nuk ka pasur”, ka përfunduar ai.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës, në këtë seancë të jashtëzakonshme, janë duke diskutuar lidhur me paralajmërimet për shtrenjtimin e energjisë elektrike. Kjo seancë është thirrur nga PDK-ja, në koordinim edhe me partitë tjera opozitare, LDK-në dhe AAK-në. /Telegrafi/