Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në një konferencë për media ka kërkuar që subjektet politike në Kosovë të arrijnë konsensus për përpilimin e një liste ku Serbisë i kërkohet njohja e pavarësisë dhe zbulimi i personave të pagjetur.
Ai ka përmendur edhe disa hapa, që sipas tij duhet të jenë pjesë e planit për bisedimet me Serbinë.
“Hapi i parë i përgatitjes për bisedime me Serbinë është krijimi i një raporti me pëlqimin e të gjitha subjekteve politike në vend. Nuk mund të pajtohemi me Serbinë nëse nuk pajtohemi me njëri-tjetrin rreth këtij raporti”, ka thënë Kurti.
Kurti shtoi se presidenti Thaçi duhet t’i ndalë pazaret territoriale me Serbinë. Ai ka thënë se Kosova ende nuk ka ndonjë dokument të qartë për kërkesat që ka ndaj Serbisë.
Madje ai ka shtuar se Kosova nuk është shtet serioz nëse nuk i kërkon borxhin Serbisë për krimet e kryera gjatë luftës në vend.
“Jam optimist që mund ta ndërtojnë konsensusin parlamentar e qeveritar për kërkesat tona ndaj Serbisë. Është dëm i madh për demokracinë tonë që na ka hyrë Serbia në mes e na ka përçarë”, ka deklaruar Kurti.
Ai tha se urgjentisht Kuvendi i Kosovës duhet të mbajë dy seanca plenare për përgatitjen e Kosovës për vazhdimin e bisedimeve.
Kurti tha se në seancën e parë të Kuvendit do të duhej të shqyrtohej raporti që është dërguar nga qeveria në lidhje me marrëveshjet paraprake të dialogut 6-vjeçar me Serbinë, për të cilin Kurti tha se Kryetari i Kuvendit po e mban të bllokuar këtë raport.
Dhe në seancën e dytë sipas tij do të duhej të shqyrtoheshin dhe të krijohet një listë me kërkesa ndaj Serbisë.
Sipas Kurtit kjo listë do të duhej t’i përmbante këto kërkesa:
-Njohja juridike e Kosovës nga Serbia dhe kërkesa që ajo ta ndryshonte kushtetutën e saj dhe ta heq fjalinë ku thuhet se krahina e Kosovës dhe Metohisë është pjesë e territorit të Serbisë.
-Zbardhja e fatit të të pagjeturve, në Kosovë ka pasur krime lufte e krime kundër njerëzimit të cilat i ka kryer Serbia dhe ende nuk ka kërkuar falje.
-Reciprociteti i njohjes së të drejtave të pjesëtarëve të Kosovës që jetojnë në Serbi e anasjelltas.
-Të na i kthejë regjistrat civilë e kadastrave. Të na e paguajë dëmin e luftës. /Telegrafi/