Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i ka kërkuar falje ministres së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajramit për deklarimin se Qeveria e tij u rrëzua nga mocioni i mosbesimit nga regjimi i kaluar.
Pas deklaratës së Kurtit, Bajram kishte reaguar duke kërkuar nga Kurti mirëkuptim pasi ajo ka qenë ministre edhe në qeveritë e kaluara.
Kurti i kërkoi falje, duke thënë po ashtu se është i kënaqur me punën e saj si ministre.
Është e vërtetë që mua më kritikoi ministrja e MASHTI-t. Unë mund të them se jam i kënaqur me punën e saj si ministre. Ia kam thënë edhe kur jemi takuar, po e them edhe këtu. Por unë kisha harruar që ajo ishte ministre edhe më herët, dhe për këtë i kërkoj falje”, ka thënë Kurti në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë.
Bajrami ka reaguar ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke thënë se nuk mund të konsiderohen ministra të suksesshëm dhe në të njëjtën kohë anëtarë të partisë së regjimit të vjetër.
“Nuk mendoj se mund të konsiderohemi të suksesshëm nëse sipas jush i takojmë regjimit e një partie politike që qenka në mbrojte e së keqes e korrupsionit, na lejoni që të vazhdojmë punën siç e kemi bërë dhe të punojmë sipas ligjit, ashtu si kemi bërë nga dita e parë”, ka deklaruar ajo. /Telegrafi/