Site icon Telegrafi

​Kurti: Ka shumë mundësi bashkëpunimi ndërmjet Kosovës e Shqipërisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim një delegacion të deputetëve të Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë, që udhëhiqej nga kryetari i Grupit Parlamentar, Taulant Balla.

Në një komunikatë për media të Zyrës së Kryeministrit thuhet se bashkëpunimi dhe bashkërendimi i veprimeve, në veçanti në politikën e jashtme të të dyja shteteve, ishin tema kryesore e takimit.

Duke theksuar stabilitetin institucional në të dy shtetet, si rezultat i udhëheqjes nga qeveri që kanë shumicën në parlament, kryetari i Grupit Parlamentar të PS Taulant Balla, tha se duhet të shfrytëzohet ky moment për angazhim edhe më të madh të deputetëve në intensifikimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat.

“Roli i deputetit nuk është vetëm miratimi i ligjeve, por edhe angazhimi për promovimin dhe mbrojtjen e interesave shtetërore dhe kombëtare”, tha Balla.

Ai tha se resurset dhe përvoja e deputetëve shqiptarë do të jenë në shërbim të lobimit dhe mbrojtjes së interesit të Kosovës në organizatat dhe forumet ndërkombëtare.

Kryeministri Kurti u shpreh i nderuar për vizitën e delegacionit të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë dhe u pajtua se ka shumë mundësi bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të të dyja shteteve.

Në kohën e krizës energjetike që ka përfshirë Evropën dhe rajonin, Kurti vuri theksin sidomos te bashkërendimi i politikave energjetike.

“Bashkërendim politikash nevojiten edhe në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë”, tha Kurti duke shtuar se blerja e objekteve dhe vendosja e ambasadave në ambiente të përbashkëta do të kursente buxhetet dhe do të lehtësonte bashkëpunimin.

Exit mobile version