Telegrafi

Kurti i ka dy fjalë për “Paradën e Krenarisë”, shpjegon edhe sloganin “Kemi qenë dhe do t’jemi”

Kryeministri Albin Kurti ka qenë i pranishëm në paradën e përvitshme të organizuar nga komunitetit LGBTQ+.

Përmes një shënimi në Facebook, Kurti thotë se Kosova është demokratike dhe garanton barazi për të gjithë dhe secilën e secilin.

“Republika jonë është demokratike. Nuk e përjashton asnjërin dhe garanton barazi për të gjithë dhe secilën e secilin. E është pikërisht barazia që na e mundëson bashkimin, pamundëson përjashtimin dhe sjell gjithëpërfshirjen”.

Kryeministri ka dhënë shpjegime edhe për sloganin “Kemi qenë dhe do t’jemi”.

Lexo po ashtu "Kemi qenë dhe do të jemi", Kurti me ministra i prijnë "Paradës së Krenarisë" në Prishtinë

“Slogani “Kemi qenë dhe do t’jemi”, jep mesazhe të dashurisë, të të drejtave, pa paragjykimeve. Parada e krenarisë afirmon diversitetin dhe kundërshton stigmatizimin”.

“E ndryshmja reflekton larminë e qenies sonë njerëzore, jo shkakun a arsyen e diskriminimit të tjetrit”, ka shkruar tutje Kurti.

Ndryshe, nën ritmet e këngëve si “Just Dance” të Lady Gagas, apo “Amanet” të Vesa Lumës, dhjetëra persona kanë marshuar të shtunën nëpër rrugët e kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës, për të shënuar “Paradën e Krenarisë”, dedikuar të drejtave të komunitetit LGBTIQ+ (lesbike, gei, biseksual, transgjinor, ndërgjinor), e tjera.

Parada e ka përmbyllur Javën e Krenarisë në Kosovë, e cila ka nisur më 3 qershor./Telegrafi/