Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka bërë homazhe para arkivolit të akademikut Idriz Ajeti i cili ndërroi jetë sot.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Kurti ka bërë të ditur edhe fjalët që i ka shkruar në Librin e Kujtimeve.
Lideri i VV-së, Ajetin e ka cilësuar si një studiues të gjuhës, dhe profesor kulminant.
“Një shekull jetë për gjuhën, për gjuhën e një kombi i cili, para së gjithash, është gjuhë. Nga studiues i gjuhës shqipe te profesori kulminant i saj, nga kryetar i AShAK-ut te kryetar i Kuvendit të Kosovës, akademik Idriz Ajeti do të jetojë në kujtesën e popullit tonë po aq sa edhe vetë gjuha e popullit. Gjurmimet albanologjike në thellësinë dhe gjerësinë e tyre, e përjetësojnë Prof. Idriz Ajetin në lartësinë dhe largësinë e të ardhmes sonë”, ka shkruar Kurti.
Akademiku Idriz Ajeti, ka ndërruar jetë, sot në Prishtinë, në moshën 102-vjeçare.
Për vdekjen e tij, shprehën ngushëllime krerët më të lartë institucionalë. /Telegrafi/