Presidenti Hashim Thaçi i është përgjigjur Albin Kurtit për intervistimin e tij në Gjykatën Speciale.
Lideri i LVV-së, Albin Kurti në një intervistë televizive kishte deklaruar se “Hashim Thaçi ka kënduar në Gjykatën Speciale për katër ditë si bilbil”.
Kësaj deklarate të Kurtit, Thaçi i është përgjigjur në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini.
“Nuk merrem me këso lajthitje të zotit Kurti. Më vjen keq që ai nuk ka shokë të burgut prandaj nuk ka çfarë të japë e të marrë, pasi nuk ka qenë pjesë e rezistencës as për liri e as për pavarësi. Ai u është dorëzuar autoriteteve të Serbisë dhe ka refuzuar të jetë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pasi është dorëzuar ka pranuar bashkëpunimin me drejtorin e burgut”.
“Nga momenti i dorëzimit te autoritetet e burgut dhe organizimi i intervistës për të në burg kur të tjerët i sakatonin dhe i mbysnin me dhunë siç ka ndodhur me shokët tanë në Dubravë dhe gjithandej Serbisë, Kurti është i njëjti në shërbim të së keqes”.
Thaçi thotë se Kurti nuk duhet të shqetësohet pse dikush në Kosovë bashkëpunon me drejtësinë.
“Unë kam shkuar hapur në intervistim me media”.
Presidenti thotë se do të vijë koha kur do t’i publikohet Kurtit veprimtaria kundër UÇK-së.
“Ai e di shumë mirë se kur unë jam dënuar nga Serbia me 20 vjet burg ai ka dëgjuar “Bjello Dugmën” në Beograd. Ka marrë pjesë në koncertet e tyre”, deklaroi më tej Thaçi./Telegrafi/