Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti e ka quajtur profesionit brilant dhe diplomat me kulturë Zejnullah Grudën, i cili ndërroi jetë një ditë më parë.
Kurti në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se Gruda ishte intelektual dhe njeri fisnik.
“Profesor i shquar. Diplomat me kulturë. Profesionist brilant. Qytetar i ndershëm. Intelektual i angazhuar. Njeri fisnik. Zejnullah Gruda na la dje në ditën e mësuesit. I tillë ishte: mësues, për të gjithë ne që e njohëm; nuk mund të bisedoje me të a të lexoje nga ai pa mësuar diçka të rëndësishme prej tij.
Nga gjeopolitika botërore te e drejta ndërkombëtare publike, nga historia e Ballkanit e shekullit XX te të drejtat e njeriut në vendin tonë, nga analizat e mprehta politike te mbrojtja e territorit të Kosovës nga ‘demarkacioni’, kontributi i Prof. Zejnullah Grudës rron me ne, librat e tij do të jenë përherë nëpër bibliotekat tona publike e private, kurse kujtimi për të përjetë i pashlyeshëm.
Ngushëllime familjes, studentëve e profesorëve dhe mbarë popullit tonë”.
Një ditë më parë ka vdekur profesori dhe intelektuali nga Peja, Prof.Dr. Zejnullah Gruda.
Gruda gjatë gjithë karrierës së tij është marrë me botime dhe publikime të shumta. Ndërkohë që ka qenë aktiv me opinionet e tij, sidomos sa i përket çështjeve të kufijve.
Ai po ashtu ka qenë prej shumë vitesh profesor i rregull universitar.
Gruda ka qenë anëtari i Komisionit për Demarkacionin e Kufirit të Kosovës me Malin e Zi.