Site icon Telegrafi

Kurti fton serbët t’i marrin targat e Kosovës, thotë se dezinformimi paraqet rrezik për sigurinë kombëtare

Kryeministri i vendit, Albin Kurti sot në fillim të mbledhjes së Qeverisë së Kosovës u është drejtuar qytetarëve serbë lidhur me dy vendimet për reciprocitet, duke ftuar ata që t’i konvertojnë targat e automjeteve.

Kurti gjatë mbledhjes tha se gjatë kohës sa ishin vendosur barrikadat ka pasur fushatë dezinformues, ndërkaq theksoi se dezinformimi sot paraqet rrezik për sigurinë kombëtare.

“Konvertimi i targave të automjeteve nga ilegale në RKS i shërben rendit, ligjit, sigurisë publike dhe lëvizjes së lirë. Duke i kontribuar këtyre qëllimeve mund të përfitohet nga lirimi nga taksa doganore, taksa administrative, tarifa për targën etj, që në vlerë totale kapin shifrën rreth 5 mijë euro”, tha Kurti.

Siç raporton Telegrafi, ai foli edhe për vendimin për pajisje me dokumente të Kosovës për hyrje dalje. Sipas tij vendimi nuk pengon lirinë e lëvizjes.

“Koha mesatare e pritjes është 20 sekonda… ndërkohë që për një masë të njëjtë tash e 11 vjet sa herë udhëtojmë në Serbi ne duhet të presim ndërmjet 10 dhe mbi 60 minuta”, tha Kurti.

Ai tha se nuk është e vërtetë që dokumentet serbe do të konfiskohen në kufi në këmbim me ato të Kosovës për hyrje dalje. “Dokumenti në hyrje dalje është dokument shtesë dhe pa pagesë”, tha më tej Kurti.

Kryeministri i vendit më tej deklaroi se po jetojmë në një epokë sfiduese andaj duhet kujdes i shtuar, raporton Telegrafi.

“Dezinformimi sot paraqet rrezik për sigurinë kombëtare… Ju bëj thirrje edhe njëherë që të përcillni me vëmendje njoftimet nga Qeveria jonë, t’i verifikoni burimet e lajmeve dhe mos lejoni të dezinformoheni nga ata që synim mund ta kenë destabilizimin. Fushata jonë e informimit për regjistrimin e tabelave të veturave nuk do të ndalet as pas 1 shtatorit, kur edhe do të rifillojmë së zbatuari edhe dy vendimet”, tha kreu i ekzekutivit.

Derisa falënderoi qytetarët për durimin, Kurti në fund tha se barrikadat që rëndom vendosen në veri nuk vijnë nga poshtë por vendosen nga lartë.

Ai tha se Policia e Kosovës dhe institucionet tjera të sigurisë përbëhen nga qytetarët tanë pa dallim dhe janë në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës javë më parë ka marrë dy vendime.

Çdo person që paraqitet për kalim të kufirit shtetëror me dokument të identifikimit personal të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, në pikë-kalimet kufitare do të pajiset me një fletë-deklarim që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumentit të tillë.

Ndërkaq përmes një vendimi tjetër, Qeveria mundëson regjistrimin e automjeteve me targa RKS për të gjitha automjetet e pajisura me targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” nga 10 qershori 1999 deri më datë 21 prill 2022. /Telegrafi/

Exit mobile version