Kryeministri Albin Kurti e ka ftuar kompaninë e prodhimit të automjeteve, KIA Europe që të investojë në Kosovë.
Këtë ai e ka bërë gjatë një takimi që ka zhvilluar të premten në Prishtinë me zëvendëspresidentin e kësaj kompanie Jun Young Choi.
“Më këtë rast, kryeministri Kurti e njoftoi Junin për përkushtimin e Qeverisë së Kosovës në fuqizimin e zhvillimit ekonomik, potencialin e Kosovës për investime si dhe për klimën e favorshme në Kosovë për kompanitë ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin për media të Zyrës së Kryeministrit.
Po ashtu, thuhet se Kurti e ka njoftuar Jun për “progresin e Kosovës në të gjithë fushat, mjedisin e përshtatshëm për biznes, progresin demokratik dhe ekonomik, sundimin e ligjit dhe për politikat e qëndrueshme ekonomike të cilat janë përparësi për investitorët e huaj”.
Kreu i ekzekutivit ka thënë se gjatë këtyre dy viteve të qeverisjes, Kosova ka bërë rritje të theksuar ekonomike, rritje të të hyrave, eksporteve dhe investimet e huaja direkte.
“Gjatë takimit, kryeministri tha se Kosova nga organizatat dhe institucionet e rëndësishme ndërkombëtare është vlerësuar dhe ka shënuar progres në parametrat e sundimit të ligjit dhe të zhvillimit demokratik. Ai i ftoi drejtuesit e kësaj kompanie që të shqyrtojnë mundësitë që vendi ynë ofron për qëllimet dhe planet e kompanisë”, përfundon njoftimi. /Telegrafi/