Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka ftuar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi në takim për të bashkërenduar qëndrimet për politikën e jashtme, para udhëtimit në Konferencën për Siguri në Munih të Gjermanisë, por presidenti Thaçi tashmë është nisur për në Gjermani.
Në letrën zyrtare të dërguar nga Kryeministria thuhet se Kurti i ka ofruar tri orare të ndryshme, në varësi të kohës së lirë që ka Presidenti për të realizuar këtë takim.
“Ju ftoj për sot në orën 12:00, 16:00 ose 17:30 apo edhe në mbrëmje që të takohemi e të dakordohemi së bashku për temat e për qëndrimet tona”, thuhet në letrën e Kurtit drejtuar Thaçit.
Por, tashmë presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka udhëtuar për në Gjermani.
Kështu kanë bërë të ditur përmes një komunikate nga Zyra e Presidentit.
“Në margjinat e Konferencës së Sigurisë së Munihut, presidenti Thaçi do të ketë takime të ndryshme bilaterale, ndër të tjera edhe me senatorët amerikanë Ron Johnson dhe Chris Murphy, me Ndihmëssekretarin e Departamentit të Shtetit, Philip Reeker, pastaj me Drejtorin Politik të Ministrisë së Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Richard Moore, si dhe me Ministrin e Jashtëm të Sllovakisë, Miroslav Lajçak”, thuhet në njoftimin për media.
Po ashtu, presidenti Thaçi në kuadër të kësaj konference do ta takojë edhe të dërguarin e posaçëm të Presidentit Trump për dialogun Kosovë – Serbi, ambasadorin Richard Grenell.
Letra e plotë e Kurtit: