Gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti pati një drekë pune me ndërmarrës dhe investitorë të huaj në kuadër të Forumit Angermyer të Politikës dhe Inovacionit, ku prezantoi mundësitë dhe potencialin për investime në Kosovë.
Në këtë drekë pune, Kurti ka ftuar ndërmarrësit që të investojnë në Kosovës.
Po ashtu ai ka theksuar se Kosova paraqet një mjedis biznesor.
Përmes një komunikate për medie, po ashtu është bërë e ditur se kryeministri i Kosovës, i njoftoi pjesëmarrësit me reformat e nisura në drejtësi dhe administratë publike.
“Po ashtu ai i njoftoi ata për prioritetet e qeverisë, planet afatgjate, dhe parametrat ekonomikë të vitit 2021, të cilët tregojnë për rritje të eksporteve, investimeve të huaja, qarkullimit vjetor të bizneseve dhe konsumit privat”, thuhet në komunikatë.
Ndër të tjera, Kurti tha se: “Besimi në qeveri është i madh”.
“Kjo është pasqyruar edhe nga përmirësimi rekord vjetor për 17 vende në indeksin e perceptimit të korrupsionit të raportit të Transperancy International. Së fundmi, kemi miratuar ligjin për themelimin e Gjykatës Komerciale, e cila do të jetë në shërbim të rritjes së efikasitetit të trajtimit të konteksteve ekonomike, ndërkaq, që në të njëjtën kohë jemi duke i rishikuar ligjet ekzistuese për Investimet Direkte të Huaja, Investime Strategjike dhe Zonat Ekonomike me qëllim ofrimit të kushteve sa më të favorshme dhe përshtatshme”, tha më tej Kurti.
Duke i ftuar për të investuar në Kosovë, kryeministri tha: “Këta indikatorë dëshmojnë se Kosova paraqet një mjedis biznesor, që do të mund ta bëjë Republikën e Kosovës destinacionin më tërheqës dhe konkurrues në Evropën Juglindore për Investime të Huaja Direkte”. /Telegrafi/