Kryeministri Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz, zëvendësministren Liza Gashi dhe konsullin e Përgjithshëm në New York, Blerim Reka, zhvilluan një takim me diasporën shqiptare në New Jersey.
Takimi u mbajt në Qendrën Kulturore Shqiptaro-Amerikane “Struga”, ku morën pjesë përfaqësues të mërgatës shqiptare në SHBA dhe ambasadori William Walker.
Gjatë fjalimit të tij, Kurti shprehu falënderime për kontributin e madh të mërgatës në zhvillimin e Kosovës, veçanërisht për mbështetjen e vazhdueshme që kanë dhënë.
Një tjetër pikë e rëndësishme e diskutimit ishte angazhimi i qeverisë për përfshirjen e diasporës në zhvillimin ekonomik të Kosovës, duke përmendur Dritaren për Investime të Diasporës, që synon të mbështesë bizneset me pronarë nga diaspora që dëshirojnë të investojnë në Kosovë.
Kryeministri i bëri thirrje mërgatës që të shohin mundësitë për investime, duke theksuar se “tani është koha për të investuar për të fituar”.
“Nëse para tri dekadave, juve të dashur bashkatdhetarë ju kemi thënë sakrifikoni për të kontribuar, tash ju themi investoni për të fituar”, ju tha ai të pranishmëve.
Qendra Kulturore Shqiptaro-Amerikane “Struga”, themeluar më 1977, ka një histori të gjatë dhe të rëndësishme në mbështetjen e çështjeve kombëtare shqiptare dhe në promovimin e kulturës dhe traditave shqiptare në SHBA./Telegrafi/