Site icon Telegrafi

E konfirmuar: Dy persona të infektuar me coronavirus në Kosovë

E plotësuar: Kryeministri Albin Kurti së bashku me ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia, përmes një konference për media kanë njoftuar se dy persona janë të infektuar me coronavirus në Kosovë.

Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia konfirmoi sot ne një konferencë për media se pas kryerjes së analizave në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare të Institutit Kombëtarë të Shëndetësisë Publike për SARS Cov 2 për 15 raste të dyshimta në Covid-19, dy (2) prej tyre kanë rezultuar pozitive.

Ai tha se pacientët e konfirmuar pozitiv gjenden të shtrirë në Klinikën Infektive të Qendrës Klnike Universitare të Kosovës dhe se gjendja e tyre shëndetësore rezulton stabile.

Njëri nga të konfirmuarit pozitiv në Covid-19 është shtetase italiane e moshës 20 vjeçare, kurse pacienti i dytë, është kosovar i moshës 77 vjeçare.

IKSHPK me institucionet e tjera kanë filluar menjëherë me gjurmimin e të gjitha kontakteve të dy pacientëve dhe janë marrë të gjitha masat e izolimit dhe vetkarantimit të personave më të cilët kanë qenë në kontakt të konfirmuarit pozitiv në Covid-19.

“Në këtë moment që po flasim, është mbledhur edhe Komiteti për Koordinimin dhe Vlerësimin e Situatës me Koronavirus Covid-19 për të diskutuar dhe rekomanduar masat përkatëse konform situatës së re të parapara edhe me Planin e Veprimit”, tha Ministri Vitia.

Ai tha, se për të gjitha rekomandimet dhe vendimet rreth situatës publiku dhe qytetarët do të njoftohen në kohë reale.

Kurse, Kryemnistri Albin Kurti u ka bërë apel qytetarëve që mos bëjnë panik, por me kujdes të shtuar t’iu përmbahen udhëzimeve për parandalimin e Coronavirusit Covid-19.

Më poshtë apeli nga kryeministri Kurti

FTOHEN QYTETARËT QË TË MOS BËJNË PANIKË, POR ME QETËSI DHE KUJDES TË SHTUAR T’IU PËRMBAHEN UDHËZIMEVE PËR PARANDALIMIN E CORONAVIRUS-IT

I ftoj qytetarët për qetësi, që të mos bëjnë panik dhe të mos paraqiten në Klinikën Infektive nëse nuk kanë shenja të sëmundjes.

Ministria e Shëndetësisë e ka vënë në dispozicion linjën telefonike për informim e këshillim në të cilën mund të thërrasin të gjithë ata tek të cilët mund të shfaqen simptoma të dyshimta për sëmundje akute të frymëmarrjes (ethe, kollë, vështirësi në frymëmarrje) DHE historik të udhëtimit në vend / zonë ose territor që raporton sëmundjen me COVID-19 gjatë 14 ditëve para fillimit të simptomave; ose që kanë qenë në kontakt me një rast të konfirmuar ose të mundshëm të COVID-19 në 14 ditët e fundit para fillimit të simptomave.

Ftohen të gjithë qytetarët që pa panik, por me kujdes të shtuar t’iu përmbahen udhëzimeve dhe masave parandaluese të rekomanduara nga institucionet shëndetësore, si dhe të gjitha masave të shpallura nga Qeveria e Kosovës. Me kujdes të shtuar, të gjithë bashkë, do t’ia dalim edhe në këtë betejë!

Qeveria do të mbajë mbledhje të qeverisë në orë. 19:00.

Kurti mban konferencë të jashtëzakonshme lidhur me coronavirusin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia do të mbajnë konferencë të përbashkët për media në ndërtesën e qeverisë së Kosovës.

Kjo konferencë për media do të mbahet lidhur me coronavirusin.

Kjo është bërë e ditur edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministria e Shëndetësisë.

“Ju ftojmë të merrni pjesë në Konferencën për media lidhur me coronavirusin Covid-19, e cila do të mbahet sot më 13 mars 2020 nga ora 17:30 në ndërtesën e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Në këtë konferencë, mediave do t’u drejtohen Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve shëndetësore të Kosovës.”, thuhet në njoftimin e MSH-së./Telegrafi/

Këshilla si të mbrohemi nga Coronavirusi:

 

Si duhet pastruar duart në mënyrë efikase:

 

Exit mobile version