Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës u ka bërë thirrje kryetarëve të komunave të Kosovës të mos marrin pjesë në takimin e ftuar nga kryeministri Albin Kurti.
Telegrafi merr vesh nga disa kryetar të komunave u është bërë thirrje të mos marrin pjesë në takim.
Burime të Telegrafin tregojnë se njëra ndër arsyet e ftesës për të mos marrë pjesë në takim është injorimi i AKK nga Grupi koordinues antiCOVID.
Ndryshe, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për themelimin e komitetit për koordinimin dhe vlerësimin e situatës me pandeminë COVID-19 në vend.
Por në përbërjen që ka përcaktuar Qeveria, nuk janë futur edhe kryetarët e komunave të Kosovës.
Sipas Qeverisë, sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë do të caktojë sekretariatin e komitetit, ndërsa ky komitet obligon komunat që të themelojnë nën komitete komunale me qëllim të parandalimit dhe luftimit të pandemisë.
Ndaj këtij vendimi ka reaguar drejtori i Asociacionit të komunave, Sazan Ibrahimi.
Ai në një përgjigje për Telegrafin, ka thënë se është befasuese sesi Qeveria as nuk i ka kontaktuar për të diskutuar lidhur më këtë çështje.
Pas reagimit të AKK, kryeministri Kurti më pas ka thirrur për sot në takim kryetarët e komunave të Kosovës.
Takimi është paraparë të mbahet në ora 10:00. /Telegrafi/