Kryeministri Albin Kurti deklaroi të martën se neni 7 i planit të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, në të cilën përmendet vetmenaxhimi i komunitetit serb në Kosovë, është formulim i cili “i përket në mënyrë shumë besnike dhe të saktë Konventës Kornizë për mbrojtjen e pakicave kombëtare, sipas Këshillit të Evropës”.
Këtë deklarim ai e bëri para mediave, pasi mori pjesë në konferencën e dytë nacionale për shënimin e Ditës Botërore të Punës Sociale, transmeton Telegrafi.
“Ne do të jemi në kontakt të vazhdueshëm me ndërmjetësit evropianë. Me partnerët tanë amerikanë që i falënderojmë për kontributin, gjithashtu jemi në komunikim të vazhdueshëm dhe do të duhej që atë formulimin për vetmenaxhimin e komunitetit serb të adresojmë çështjet të cilat na paskan ngelur pa u përmbushur. Për ne siç e kam thënë edhe në Kuvend, bëhet fjalë për një formulimi i cili i përket në mënyrë shumë besnike dhe të saktë Konventës Kornizë për mbrojtjen e pakicave kombëtare, sipas Këshillit të Evropës”, tha kryeministri.
Tutje, Kurti tha se tani Serbia duhet të pyetet se pse po refuzon që ta nënshkruajë këtë marrëveshje, për përmbajtjen e së cilës palët janë darkoduar qysh në takimin e 27 shkurtit në Bruksel.
“Unë besoj se tash nuk do të duhej që topi të jetë në anën e Kosovës, por në anën e Serbisë. Në vend që të pyetet Serbia pse nuk po e nënshkruan, më pyesin mua se kur do ta bësh Asociacionin”, u shpreh kreu i ekzekutivit.
Sa i përket zbatimit të kësaj marrëveshje, Kurti tha se është dashur të fillojë që nga e hëna pasi “plani i zbatimit thotë se nuk ka një afat se kur duhet të fillojë zbatimi i marrëveshjes”.
Megjithatë, ai shtoi se pret nga faktorët ndërkombëtarë që ta dënojnë sjelljen e Serbisë, e cila siç potencoi, në takime thotë se nuk nënshkruaj e ndërmjet takimeve thotë se nuk zbatoj gjë.
“Të gjitha partnerët tanë në perëndim duhet të vazhdojnë të qëndrojnë pranë Kosovës kur ne jemi konstruktiv, të përkushtuar e kreativ si asnjëherë më parë. Unë jam i vetmi në takimet e Brukselit që bëj propozime, pala tjetër nuk bën propozime. Unë bëj oferta dhe propozime që refuzohen dhe në fund merremi vesh ama ata nuk nënshkruajnë”, u shpreh tutje Kurti.
Në fund, kryeministri tha se kjo duhet të diskutohet edhe në Kuvendin e Kosovës, por “duhet ta keni parasysh që ne kot nënshkruajmë se marrëveshje vet me vete s’mund të bëjmë”. /Telegrafi/