Site icon Telegrafi

Kurti: Forcimi i shtetit të Kosovës e forcon aleancën me SHBA-në

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Shtetet e Bashkuara e duan Kosovën më shumë sesa mendojnë njerëzit, e sidomos nëse nuk je i korruptuar. Ai  gjithashtu ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë është interes i Serbisë.

Kurti u shpreh se SHBA-ja nuk dëshiron të merr vendime në vend të Kosovës.

Sipas kryeministrit, forcimi i shtetit të Kosovës, e forcon edhe aleancën me SHBA-në.

“Ne jemi aleat dhe partnerë me SHBA-në, që kanë pasur rol të jashtëzakonshëm për Kosovën. SHBA-ja nuk dëshiron të marrin vendime për neve, në vend tonin. Ata dëshirojnë që ne të forcohemi. Forcimi i shtetit të Kosovës, sipas meje, forcon edhe aleancën mes nesh. Çdo zyrtar amerikan që takoj, përfshirë Blinkenin, kemi diskutuar për luftimin e krimit dhe korrupsionit. Vazhdimi flas për luftimin e krimit e korrupsionit, për procesin e vetingut. Asnjëherë kur i kam thënë këto, asnjëri prej tyre nuk ma ka ndërprerë fjalinë. Është detyrë e imja ta përfaqësojë Kosovën, për këtë paguhem. Kemi kryer 500 operacione policore. Ata e njohin Kosovën, i dinë edhe të arritura tona, por është shumë e rëndësishme që t’iu them, nuk më kanë ndërprerë asnjëherë ose nuk e kanë ndërruar temën. SHBA-ja na do neve më shumë sesa mendojnë njerëzit. Ka mundësi që kanë më pak respekt kur je i korruptuar, por mua më respektojnë shumë”, potencoi Kurti në KTV.

Ai ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë është interes i Serbisë.

Sipas tij, për këtë arsye “nuk ka pse të merrem me të”.

“Asociacioni një nga 33 marrëveshjet e arritura, e që s’e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese. Serbia e përmend pikërisht këtë. Por s’ekziston një hierarki që na thotë se kjo është marrëveshja më e rëndësishme. Për Serbinë po. Por ajo që është më e rëndësishmja për Serbinë, s’është për mua. Për mua është ajo për diploma, ajo për IBM”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, për këtë çështje më shumë i bëhet trusni nga vendorët se ndërkombëtarët.

Exit mobile version