Telegrafi

Kurti flet për reciprocitetin me Serbinë: Na duhet kohë për zbatim, e kemi parim të barazisë dhe jo të hakmarrjes

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Albin Kurti gjatë seancës plenare në Kuvendin e Kosovës ka folur rreth zotimit të tij elektoral për reciprocitetin me Serbinë.

Kurti tha se Serbia bën përgjithësisht barriera sporadike dhe sistemike ndaj mallrave të Kosovës.

Dhe për këtë arsye, Kurti tha se qeverisë të cilën ai e drejton, i duhet kohë që të përgatitet, në mënyrë që ta zbatojnë ashtu si duhet reciprocitetin me Serbinë.

“Para një muaji është miratuar propozimi që unë kam marr për drejtorin e  ri të doganave. Serbia bën përgjithësisht barriera sporadike ndaj mallrave të Kosovës, por ka dhe barriera sistemike. Për ta zbatuar reciprocitetin duhet t’ju bëjmë ballë suksesshëm dhe barrierave sporadike dhe sistemike. Na duhet kohë që të zbatojmë reciprocitetin. Nuk duam të dështojmë në zbatim. Në qeverinë tonë të pranverës të vitit të kaluar nuk e kemi filluar reciprocitetin as ditën e parë, as javën e parë, as muajin e parë”, ka thënë Kurti.

Kryeministri po ashtu tha se reciprocitetin e kanë parim të barazisë dhe jo hakmarrje ndaj dikujt.

“Reciprocitetin e kemi si parim të barazisë dhe jo të hakmarrjes ndaj ndokujt. Kjo është çështje e qeverisë tonë dhe kjo do të bëhet. Dikujt mund të mos i pëlqej por këtë do ta bëj. Sa për votat e opozitës për, edhe për këtë s’kam nevojë”, tha ndër të tjera Kurti. /Telegrafi/