Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti gjatë konferencës për medie ka folur në lidhje me përgatitjen për protestë që është bërë gjatë të hënës në sheshin “Skënderbeu”, të kryeqytetit.
Ai tha se nuk ka informacione nëse ata kanë qenë brenda kohës së caktuar për të dal jashtë.
“Unë kam informata por më vjen keq që nuk e kam infromacionin që ata qytetar që ishin në shesh dje kanë qenë në atë 90 minutëshin e tyre për të dal jashtë. Unë dola dje t’i shikoj dhe ata ishin para Qeverisë, sa shikojmë mbrapa më mirë të shikojmë përpara dhe me siguri do ia japin përgjigjen se a kanë qenë brenda 90 minutëshit të tyre a jo. Unë nuk e di. Di shumë gjëra por këtë nuk e di”, tha Kurti.
Kurti tha se nuk përkrahin e as nuk inkurajojnë qytetarët për tubime.
“Nuk inkurajojmë dhe nuk mbështesim tubimet, mund të kemë mirëkuptim për nevojën e qytetarëve të pakënaqur që ta shprehin pakënaqësinë e tyre, ne e dimë që këtë e kanë bërë edhe nga ballkonet e ndërtesave në mnëyrë masive, fillimisht në Prishtinë, pastaj edhe në tjera qytete. Theksojmë se nuk mbështesim dhe nuk inkurajojmë tubimet e qytetarëve, tash kur jemi në minutat e fundit të ndeshjes me coronavirusin. Edhe ata qytetarë që ishin dje këtu nuk qëndruan gjatë, ishin vetëm disa minuta”, tha Kurti. /Telegrafi/