Site icon Telegrafi

Kurti flet për padinë e paralajmëruar ndaj Serbisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka zbuluar detaje lidhur me “padinë e paralajmëruar” ndaj Serbisë për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, duke e përshkruar këtë çështje si konfidenciale.

Në një deklaratë për media më 11 nëntor 2024, pas vizitës në Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, Kurti theksoi se në kuptimin e përmbajtjes nuk mund të flasë meqenëse këto përgatitje sipas tij, përfundohen në konfidencialitet.

“Sepse kemi të bëjmë me një shtet armiqësor ndaj nesh, që nuk i pranon krimet e kryera në Kosovë, përkundrazi i quan të fabrikuara.”

Kurti kujtoi se që para ardhjes në pushtet kishte shprehur synimin për të paditur Serbinë për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

“Edhe Ministria e Drejtësisë, edhe këshilltarët e mi ligjorë, edhe ekspertët ndërkombëtarë, janë duke bërë përgatitjet që të akuzohet Serbia si shtet përgjegjës për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, e që janë krime luftime, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid,” theksoi ai gjatë një homazhi në Drenas më 30 mars të këtij viti.

Gjatë vizitës në Institut, Kurti u njoh me dokumentacionin voluminoz që ky institucion ka mbledhur.

Ai zbuloi se arkivat përmbajnë mbi 15.8 terabajt informacion të grumbulluar në 9 muaj, duke përfshirë video-xhirime, fotografi, audio-xhirime dhe dokumente të ndryshme.

“Nëse do të thuhej se sa ka material, do ishte 189 metra gjatësi në këmbë me foldera,” tha Kurti, duke nënvizuar rëndësinë e kësaj pune për historinë dhe drejtësinë.

Exit mobile version