Telegrafi

Kurti flet pas takimit me Mustafën: Të gatshëm të bashkëpunojmë për rrëzimin e Qeverisë

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka zhvilluar sot një takim me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa në shtëpinë e këtij të fundit.

Pas këtij takimi i cili u mbajt pa praninë e mediave, Kurti përmes një postimi në Facebook ka shkruar se çfarë është diskutuar.

“Të gatshëm të koordinojmë bashkëpunimin opozitar në mënyrë që degradimi i qeverisjes dhe rrezikimi i territorit të ndalen sa më shpejtë. Kosova si kurrë më parë ka nevojë urgjente për qeverisje të re dhe cilësore”, ka shkruar Kurti.

Ndërkaq nga LDK-ja nuk janë deklaruar rreth këtij takimi.

Vlen të përmendet se LVV-ja ka thirrur protestë për këtë të shtunë kundër presidentit Hashim Thaçi me moton “Një popull s’i nënshtrohet një njeriu”.

Dy partitë tjera opozitare LDK e PSD janë deklaruar se nuk e përkrahin këtë protestë, ani pse ka pasur deklarime individuale disa deputetëve të cilët kanë thënë se kjo protestë duhet përkrahur.

Gjatë ditës së djeshme LDK ka mbajtur mbledhje me Grupin Parlamentar, ku kanë treguar se janë në përgatitje të mocionit për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj. /Telegrafi/