Fituesi i zgjedhjeve të 14 shkurtit dhe kandidati për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti ishte prezent në përvjetorin e “Besëlidhjes së Lezhës (1444)”, së bashku me përfaqësues të komuniteteve shqiptare të Tuzit, Maqedonisë, si dhe Medvegjës e Bujanovcit.
I pyetur nga Euronews Albania nëse do të ishte ai nismëtari i një referendum për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, Kurti u shpreh se momentalisht një hap i tillë është i pamundur për shkak të kushtetutës së Kosovës.
“Fatkeqësisht Kushtetuta e Kosovës e ka në kundërthënie Nenin 1.1 me Nenin 1.3… Neni 1.1 thotë që Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe demokratik, ndërkaq Neni 1.3 na e ndalon bashkimin me një shtet tjetër, në këtë kuptim pavarësia e Kosovës nuk e lejon në mënyrë Kushtetuese bashkimin me një shtet tjetër të pavarur si Shqipëria, njëkohësisht paraqet edhe pengesë edhe për integrime të llojit tjetër siç është ai evropian, tashmë në Kosovë kur s’kemi ligj për referendum dhe kur s’e ndryshojmë dot Kushtetutën tregon që duhet të bëjmë më shumë punë dhe do të kalojë ca kohë deri sa të mbërrijmë deri në atë pikë,” – tha Kurti duke theksuar se dëshira mbetet e madhe.
Por ndonëse bashkimin mes dy vendeve e shihte të largët, Kurti evidentoi fushat në të cilat dy shtetet duhet të bashkëpunojnë, ndoshta akoma më shumë pasi vetë ai të marrë drejtimin e qeverisë së Kosovës./euronews.al