‘Me fitoren e Vetëvendosjes fiton Vushtrria, kur fiton Vushtrria atëherë fiton Kosova, kur fiton Kosova atëherë fiton Republika, e kur fiton Republika nuk përfiton asnjë matrapaz që hyri në politikë dhe asnjë politikan që u bë matrapaz’. Kështu u tha vushtrriasve kandidati për kryeministër të Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes, Albin Kurti.
Në tubimin e mbajtur me simpatizantë në qytetin e Vushtrrisë, kandidati i Vetëvendosjes për kryeministër, Albin Kurti, tha se ky qytet është ndër më të varfrit në Kosovë, ku shumë familje janë pa strehim. Por, kjo sipas tij do të ndryshojë me qeverisjen e Vetëvendosjes, ku secila familje do të ketë kulm mbi kokë dhe secila shtëpi do të ketë një të punësuar.
“Vushtrria është ndër qytetet më të varfra dhe shumë familje janë të pastrehuara, Vushtrria prinë në Kosovë për ikjen masive të qytetarëve jashtë vendit në këto vitet e fundit. Me qeverinë e Vetëvendosjes nuk do të ketë familje pa kulm mbi kokë dhe as shtëpi pa dikë të punësuar. Nuk do të ikin rinia nga Vushtrria, por edhe diasporën e Vushtrrisë do ta kthejmë për të investuar në vendlindje. Një qeveri me ligje të mira, por me njerëz të këqij në pozita drejtuese bëhet qeverisje e keqe, sepse njerëzit e këqij janë të tillë pikërisht sepse nuk i respektojnë ligjet e mira. Në Kosovë kanë pasur prioritet dëshirat e qeveritarëve dhe jo të drejtat e qytetarëve. Vetëvendosja i ka motivet e larta për qëllime të përbashkëta, vullneti, të drejtat dhe nevojat e qytetarëve do të jenë ligji mbi Qeverinë e Vetëvendosjes”, tha Kurti.
Kurti tha se pas 11 qershorit, Qeveria e Vetëvendosjes pavarësisë së Kosovës do t’ia bashkëngjes sovranitetin dhe do t’ia heq korrupsionin.
Kandidati për kryeministër tha se synim i tyre është që ta largojnë frikën prej Kosovës dhe ta kthejnë shpresë.
“Fitorja e Vetëvendosjes do ta kthej vetëbesimin tek qytetarët e Kosovës, pas fitores së Vetëvendosjes do të vijnë edhe shumë fitore të tjera, të vogla e të mëdha. Mjaft humbi ky popull, po vjen koha e fitoreve. Qeveria e Vetëvendosjes do t’ia shtoj shoqërisë ekonominë dhe jetës krijimtarinë, ekonomisë prodhimin dhe krijimtarisë arsimin, sepse prodhimi i bën njerëzit punëtor të progresit dhe krijimi i bën punëtorë qytetarët e Republikës”, tha Kurti.
Ndërsa, kandidatja për deputete nga Vushtrria, Aida Dërguti, tha se duke e parë nga atmosfera në këtë qytet, nga njerëzit që takon dhe nga salla e mbushur duket se Vushtrria është përcaktuar për ndryshimin e madh.
E në këtë fjalim të saj para bashkëqytetarëve vendosi të flas për heronjtë, ku ajo heronj i quajti ata që jetojnë në varfëri e skamje në Kosovën e pasluftës me shpresën që do të vijnë ditë më të mira.
“Heronjtë e këtij vendi janë të gjithë ata që në vitet e 90-ta u përjashtuan nga puna dhe vendosën të qëndrojnë nën kushte shumë të rënda nën regjimin e Millosheviqit, heronjtë janë të gjithë ata që u detyruan ta lëshojnë Kosovën nga presioni i këtij regjimi, por nuk e harruan vendin e tyre, u organizuan e mbajtën të gjallë me bukë popullin e Kosovës dhe shkollat shqipe, financuan dhe morën pjesë në luftën tonë çlirimtare. Heronj ishin ata që vulosën me gjakun e tyre vulosën lirinë e Kosovës. Heroizëm i pashoq është edhe ai i grave, vajzave të dhunuara gjatë luftës dhe i familjarëve të të vrarëve e të masakruarave që me plagë në shpirt arnojnë jetët e tyre dhe presin ditë më të mira. Heronj ishin edhe ata që u kthyen pasluftës në tokën e djegur e qiellin e hapur, duke i dëshmuar botës sesi duhet mëmëdheu. Heronj janë ata që jetojnë në varfëri e skamje në K osovën e pasluftës, me shpresën se do të vijnë ditë më të mira”, tha para vushtrriasve Dërguti.
Po ashtu, ajo tha se Kosova tashmë ka nevojë për heronj që e përcaktojnë të ardhmen e saj.
Kurse, kandidati për deputet nga Vetëvendosje, Rexhep Selimi, tha se ka shumë vjet që Vetëvendosje i ka prirë ndryshimit të ecjes së shtetit të Kosovës dhe se ka shumë vjet që kjo parti ka mbjellë farën e fitores dhe se këtë fitore do ta korrë më 11 qershor.
Po ashtu, ai tha se më 11 qershor Kosova do t’ia lë të kaluarës jetën dhe kohën e vështirë.
“Me 11 qershor Kosova do t’ia lë të kaluarës, jetën dhe kohën e vështirë. Jetën dhe kohën e rëndë për qytetarët e Kosovës. Kosova më nuk do t’i mbështesë ata që Kosovën e lanë pa sovranitet, me integritet të shkelur territorial. Kosova nuk do t’i votojë dhe nuk do t’i mbështesë ata që Kosovën e lanë pa ushtri, Kosova nuk do t’i votoj dhe nuk do t’i mbështes ata që vlerën më sublime të Kosovës dhe shqiptarëve Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e quan para gjykatores” tha Selimi.
Kandidati për deputet, Glauk Konjufca, e nisi fjalën e tij duke thënë se nëse kjo është ajo Vushtrria e Hasan Prishtinës fitorja e Vetëvendosjes është e sigurt.
Ndërsa, tha se deri më 11 qershor drejtësia do t’i frikësohet krimit, pas 11 qershorit me Vetëvendosjen mafia do t’i frikësohet Prokurorisë së Shtetit
“Lëvizja Vetëvendosje i ka përballë dy grupe politike, njëri quhet klani Pronto, tjetri quhet ‘ka t’fryn era’. Populli i Kosovës më 11 qershor do ta votojë Lëvizjen Vetëvendosje sepse do të i ndëshkojë këto dy grupe që e kanë shtrirë Kosovën përdhe. Deri sot drejtësia në Kosovë ka qenë instrument i pushtetit kundër oponentëve politik, me Vetëvendosjen drejtësia bëhet instrument i popullit për ndëshkimin e mafisë”, tha Konjufca.
Lëvizja Vetëvendosje gjatë ditës ka mbajtur tubime edhe në Shtërpcë dhe në Istog. /kp/