Site icon Telegrafi

Kurti: Fillimisht reciprociteti, pastaj heqja e taksës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për Zërin e Amerikës, tha se qeveria e tij synon që të heqë tarifat ndaj mallrave serbe, pasi të vendosen masat e reciprocitetit me Serbinë, duke vlerësuar se edhe marrëdhëniet ndërkombëtare sot në botë, ndërtohen mbi këtë parim.

Kurti flet edhe për përparësitë e punës së qeverisë së tij, ki cili thotë se nuk është e pamundur që të arrihet një marrëveshje me Serbinë brenda këtij viti, por nuk pret ndonjë dialog thelbësor e as rezultate të shpejta derisa edhe Serbia është në prag të zgjedhjeve.

“Ashtu kemi deklaruar në fushatën zgjedhore sepse ashtu kemi menduar e besuar dhe ne me ato deklarime e qëndrime kemi fituar dhe natyrisht që tash duhet t’i dalim zot qytetarëve për mbështetjen e tyre. Ne duam që tarifën njëqind për qind ta zëvendësojmë, pra të mos kemi situatë në të cilën nuk e kemi as tarifën as reciprocitetin”, është shprehur ndër të tjera Kurti.

I pyetur lidhur me një afat kohor kur mund të bëhet kjo, Kurti ka thënë se nuk mund të japë afate.

“Ne do të përpiqemi sa më shpejt mirëpo unë nuk mund të jap një datë tash pa i filluar mbledhjet e qeverisë, pa e vendosur këtë në kabinetin tim dhe natyrisht pa e takuar edhe komunitetin e biznesit. Unë besoj që kur është vendosur tarifa 100 për qind në vjeshtën e vitit 2018, është bërë gabim që nuk i kanë takuar biznesmenët tanë e posaçërisht prodhuesit, mirëpo jemi ku jemi tash dhe neve na duhet ta shqyrtojmë edhe aspektin ekonomik të kësaj çështje”, ka shtuar Kurti.

Exit mobile version