Telegrafi

​Kurti-Farrar: Vaksinimi, mënyra më efikase kundër valës së ardhshme COVID-19

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, kanë zhvilluar sot një takim virtual me Jeremy Farrar, ekspert botëror për menaxhimin e pandemisë COVID-19.

Jeremy Farrar mban pozitën e Drejtorit të Fondacionit “Wellcome Trust” të Mbretërisë së Bashkuar dhe ka shërbyer si anëtar i Grupit Këshillëdhënës Shkencor për Emergjenca (SAGE), organi kryesor për ofrimin e këshillave për Qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar rreth menaxhimit të pandemisë.

Gjatë këtij takimi, Jeremy ka ofruar ekspertizën e tij se si Kosova duhet të përgatitet për ardhjen e variantit Omicron, i cili po përhapet me shpejtësi të jashtëzakonshme në shumë vende të botës.

Ai tha se ardhja e variantit të ri në Kosovë, e shoqëruar me një rritje të shpejtë të infektimeve, është e pashmangshme, si në Kosovë, ashtu edhe në të gjithë botën.

Sipas tij, mënyra më efikase se si Kosova mund të përgatitet tani për valën e ardhshme është vazhdimi i fushatës së vaksinimit, sidomos atyre mbi 18-vjeç, me dy dozat e para të vaksinës dhe shkurtimin e periudhës së pritjes për dozën përforcuese prej 6 deri në 3 muaj pas dozës së dytë.

Jeremy shprehu gatishmërinë për të ofruar ekspertizën e tij dhe për t’i mbajtur vazhdimisht të informuar kryeministrin dhe ministrin e Shëndetësisë për zhvillimet më të fundit shkencore rreth variantit të ri omicron dhe çështjeve të tjera lidhur me pandeminë.