Site icon Telegrafi

Kurti falënderon veprimtarin Xhema për kontributin e tij në promovimin dhe fuqizimin e çështjes shqiptare dhe të Kosovës në ShBA

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot veprimtarin e shquar të mërgatës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Jim Xhema, së bashku me Kryetarin e Pan Federatës Shqiptare VATRA, Ilmi Berisha, përfaqësues të Rrjetit të Biznesit Shqiptaro-Amerikan dhe afaristë nga Amerika dhe Kanadaja.

Në njoftimin e Kryeministrisë, thuhet se duke i uruar mirëseardhje në Kosovë, kryeministri Kurti e falënderoi përzemërsisht z. Xhema për kontributin e tij të çmuar në promovimin dhe fuqizimin e çështjes shqiptare dhe të Kosovës në ShBA, veçanërisht përmes raporteve të mira me senatorin Bob Dole e kongresistin Tom Lantosh.

“Roli i mërgatës shqiptare në Amerikë për çlirimin dhe pavarësimin e vendit ka qenë kyç, dhe se edhe sot vazhdon të jetë po aq i rëndësishëm në zhvillimin dhe afirmimin e Kosovës”, ka thënë Kurti, transmeton Telegrafi.

Më tej, kryeministri Kurti e ka informuar veprimtarin Xhema dhe të tjerët për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, sfidat përpara, por dhe për punën dhe të arriturat e qeverisë në fushën e sundimit të ligjit, për reformat e ndërmarra, progresin ekonomik e demokratik e që janë evidentuar edhe në raportet ndërkombëtare.

Jim Xhima u dekorua sot nga Presidentja e vendit, Vjosa Osmani me medaljen Urdhri i Lirisë, për kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Në këtë takim të pranishëm ishin Christopher Hyland, bashkëpunëtor i afërt me ish-presidentin amerikan Bill Clinton dhe udhëheqësi i fushatës së tij presidenciale si dhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama. /Telegrafi/

Exit mobile version