Në margjina të Forumit të Varshavës për Siguri, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takua me kongresistin amerikan, Jason Crow.
Kryeministri Kurti e njohu kongresistin me vizitën më të fundit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe takimet produktive e të frytshme të mbajtura atje.
Ai e falënderoi kongresistin për përkrahjen e vazhdueshme dhe avokimin e zëshëm të tij për Kosovën dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Bashkëbiseduan edhe rreth rolit të diasporës sonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si një urë e fuqishme lidhëse mes dy shteteve tona, por edhe si kontribuuese e rëndësishme në jetën shoqërore amerikane.
Kryeministri Kurti e ftoi kongresistin Crow që ta vizitojë Kosovën, duke shprehur se është i mirëseardhur në vendin tonë. /Telegrafi/