Kryeministri Albin Kurti ka emëruar sot doktor Rifat Latifin ministër të ri të Shëndetësisë.
“Unë si kryeministër posa kam nënshkruar vendimin për ministrin e ri të Shëndetësisë. Ministri i ri i Shëndetësisë do të jetë doktor Rifat Latifi”, ka thënë Kurti në një konferencë për media.
Kurti shtoi se doktor Latifi erdhi pardje nga Nju Jorku në Prishtinë.
“Doktor Rifat Latifi ka lindur në Kllodernicë të Skenderajt. Ka studiuar për mjekësi në Universitetin e Prishtinës dhe ka kryer dy specializime për kirurgji të përgjithshme dhe traumatologji dhe reanimacion në SHBA. Përvoja e tij akademike dhe profesionale përshinë qendra spitalore dhe universitete me emër në disa shtete federale në SHBA. Doktor Latifi aktualisht punon si profesor i Departamentit të kirurgjisë në kolegjin e Nju Jorkut…”, tha Kurti.
Ai në fund i uroj mirëseardhje dhe e uroj për detyrën e re. /Telegrafi/