Site icon Telegrafi

Kurti emëron Furtuna Sheremetin Këshilltare të Jashtme Politike për Çështje Juridike

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka emëruar të mërkurën gjatë ditës, edhe Këshilltaren e Jashtme Politike për Çështje Juridike, Furtuna Sheremetin, pasi emëroi më parë si Këshilltar Politik, Elvis Hoxhën dhe Fëllanza Podrimën.

Në njoftimin për medie thuhet se Sheremeti është e lindur dhe e rritur në Prishtinë, ku edhe ka përfunduar studimet për drejtësi në Universitetin e Prishtinës.

Sipas këtij njoftimin ajo ka kryer studimet Master në Kriminologji e Shkenca Penale në Universitetin e Oxfordit në Mbretërinë e Bashkuar.

Aktualisht është në vitin e fundit të studimeve të doktoraturës në Universitetin e Leuven-it në Belgjikë, ku po hulumton temën e adresimit dhe matjes së dëmit të shkaktuar nga krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

Ndërkaq, Kurti, emëroi sot Fëllanza Podrimja dhe Elvis Hoxha, këshilltarë politikë.

Në njoftimin për media bëhet e ditur se Podrimja, është e rritur në Gjermani dhe ka përfunduar studimet Master për shkenca politike me theks të veçantë në Evropën Lindore dhe marrëdhëniet transatlantike, në Universitetin e Ludëig Maximilian të Munihut.

Para se të kthehej në Kosovë ka punuar disa vite si këshilltare politike në Berlin ku njëherit është njohëse e institucioneve të politikbërjes në Gjermani e në BE.

Kurse, Elvis Hoxha, është i diplomuar në inxhinieri kimike, në Universitetin e Tiranës, dhe më pas në filozofi, në Universitetin Paris-8, në Francë.

Ka ligjëruar filozofinë politike dhe estetikën në Universitetin Paris-8 dhe në disa universitete të Tiranës. /Telegrafi/

Exit mobile version