Kryetari i Lëvizjes Demokratike të Kosovës, Albin Kurti ka thënë sot se përveç nevojës për reforma në drejtësi, Kosova ka nevojë edhe për reforma në sektorin e sigurisë.
Kurti në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se emërimi i drejtorit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë dhe drejtorit të Policisë janë direktiva të presidentit të pranuara nga kryeministri.
Lexoni të plotë postimin e Kurtit në Facebook:
“Emërimi i drejtorit të AKI-së dhe drejtorit të Policisë së Kosovës, janë direktiva të Presidentit të pranuara nga Kryeministri, i cili nuk dimë se çfarë mori si shpagim në pazar.
Kur Kryeministri thotë t’ia lëmë këtë çështjen ‘Maxhuni’ organeve të rendit a sistemit të drejtësisë, ai po thotë “na e leni këtë punë neve”, thua se bëhet fjalë për çështje private dhe jo publike.
Kapësit e shtetit e kanë ndarë popullsinë në familjarët e tyre të paprekshëm dhe qytetarët e tjerë të pambrojtur. Paanshmëria, objektiviteti dhe profesionalizmi i organeve shtetërore matet pikërisht në raste të këtilla siç ishte ai ‘Maxhuni’ i 12 tetorit (i publikuar vetëm një javë më pas), e jo në rastet e hajnave të pulave.
Shpërputhjet midis deklaratave të policisë dhe prokurorisë në rastin ‘Maxhuni’ janë dëshmi e ndërhyrjeve nga lart.
Kosova nuk ka nevojë vetëm për reformë të drejtësisë, por edhe për reformë të sigurisë. Pra, Kosovës i nevojitet jo vetëm reforma e vetingu i gjyqësorit dhe prokurorisë, por edhe ai i policisë dhe inteligjencës. Reformat në organet e rendit e të sigurisë nuk bëhen me rokada dostash që kryejnë favore private nga pozitat publike. Në polici ka njerëz të mirë e me integritet, profesionistë e patriotë, por ata mbi kokë i kanë të këqijtë, kapësit e shtetit, pushtetin që i shërben vetvetes, familjarëve të tyre e miqve biznesmenë. E, me të tillët nuk ka as drejtësi e as siguri”. /Telegrafi/