Kryeministri Albin Kurti në një konferencë të përbashkët me prodhuesit vendor dhe ministrin e Financave, Hekuran Murati, ka thënë se ekonomia në vendin tonë asnjëherë nuk ka përjetuar rritje sikurse këtë vit me rreth 10 për qind.
“Ekonomia asnjëherë nuk ka përjetuar një rritje sikurse në këtë vit me rreth 10 për qind. Aktiviteti është shtuar për afro 30 për qind, eksportet janë rritur mbi 60 për qind, dhe të hyrat buxhetore për 34 për qind. Investimi në prodhimtari nënkupton ngritje të kapaciteteve prodhuese dhe shtim të vendeve të reja të punës, e që përkthehet në rritje të aktivitetit ekonomik në vend dhe rritje të mirëqenies qytetare”, ka thënë Kurti.
Ai ka shtuar se pasojat ekonomike të pandemisë që po përcillen me luhatje të çmimeve vë në pah dy faktorë. E para, si pasojë e shkëputjes së zinxhirit të furnizimeve shumë vende të Evropës po i shohin vendet që i kanë më afër si eksportues potencial dhe e dyta theksohet nevoja për shtim të prodhimit vendor që ekonomia e vendit të jetë e izoluar nga inflacioni që vjen së bashku me produktet që vijnë nga tregjet ndërkombëtare.
“Prodhimi vendor ka rol kyç në ekonomi si për nga aspekti i sigurisë ekomomike edhe për nga aspekti i krijimeve të vendeve të qëndrueshme të punës. Është dora e shtetit ajo që nuk ka qenë e pranishme, nga komunikimet me bizneset prodhuese na është thënë se problem është qasja në financa dhe kostoja e financimit e po ashtu edhe që janë të nevojshme kapacitet njerëzore në procesin e prodhimit. Problem tjetër që është vënë në pah është pabarazia me konkurrencën që vie nga jashtë. Sfidë tjetër është edhe gjeta e tregjeve të reja për eksport”, tha ai.
Kurti shtoi se si Qeveri janë të përkushtuar t’iu ndihmojnë prodhuesve vendorë.
“Si Qeveri jemi të përkushtuar që ta vëmë në lëvizje tërë kapacitetin diplomatik që t’iu ndihmojmë prodhuesve tanë që të gjejnë tregje të reja jashtë vendit, deri sa të arrijmë aty duhet të kemi kapacitete prodhuese brenda vendit. Në linjë me programin e qeverisë kemi përgatitur një sërë masash në kuadër të pakos së ringjalljes ekonomike”, u shpreh Kurti. /Telegrafi/