Lideri i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në një konferencë për media e ka quajtur presidentin e vendit Hashim Thaçi gënjeshtar dhe të paditur.
Kurti në një konferencë për media duke folur për dialogun me Serbinë, tha se ky dialog me Serbinë nuk duhet të jetë prioritet i Kosovës, por çështja e papunësisë, luftimi i krimit e korrupsionit etj.
“Presidenti aktual nuk është më një njeri që bën gabime të paqëllimshme, por njeri që ka qëllime të gabuara. Thaçi nuk është as kredibil e as kompetent. Ai është edhe gënjeshtar, edhe dhe i paditur”, u shpreh Kurti.
Lideri i VV-së tha se ujditë e fshehta të Thaçit nuk do të vlejnë në Kosovë.
Kurti më tej tha se duhet një shqyrtim dhe vlerësim i dialogut dhe më pas të shihet si të vazhdohet.
Ai tha se qëllimet e Beogradit në dialog janë të qarta, anëtarësimi në BE dhe formimi i Asociacionit të komunave serbe në Kosovë.
Ndërsa, sipas tij, liderët e Kosovës nuk i kanë të qarta qëllimet, parime e as kërkesat ndaj Serbisë.
“Presidenti aktual flet për kompromis të dhimbshëm dhe duket që e ka fjalën për dhimbjen që do ta ketë Kosova si shtet dhe populli, dhe jo ai”, tha Kurti.
“Ky dialog i nevojitet Serbisë për ta përshpejtuar anëtarësimin në Bashkimin Evropian, kurse Thaçit për ta ngadalësuar përndjekjen nga Gjykata speciale… Thaçi nuk dëshiron ta përfundojë dialogun me Serbinë, pasi jeta politike e posti zyrtar dhe liria personale e tij varet nga ai dialog”, tha ndër të tjera, lideri i Vetëvendosjes. /Telegrafi/