Site icon Telegrafi

Kurti e quan diletantizëm kërkesën e deputetit Haxhiu për Trustin: Ja kush po merret me financa e makroekonomi te ne

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë ka folur për kërkesën e PDK-së, konkretisht të deputetit Bekim Haxhiu për tërheqjen e 30 për qind të mjeteve nga Trusti.

Kurti e ka quajtur diletantizëm kërkesën e Haxhiut, duke shtuar se tërheqja e këtyre mjeteve do të sillte dëme.

“Nuk është e rastësishme që ka ardhur nga një deputet i opozitës, i cili në një prononcim medial duke komentuar deklaratën brengosëse të përfaqësuesve të FMN-së ka thënë se po të donte FMN-ja do të nja jepte mjete ti shpërndanim për qytetarët e nuk do ti preknim mjetet e fondit, ka mjete të mjaftueshme FMN-ja. Ja kush po merret me financa e makroekonomi te ne, është diletantizëm i jashtëzakonshme por pasojat e të cilit nuk kemi pse i bartim ne të tjerët përveçse vetë ai person”, ka thënë Kurti.

Ai ka shtuar se fakti që një fond ekziston shërben si argument i mjaftueshëm dhe ftesë e hapur për ta zbrazur atë fond.

Lexo po ashtu Kurti për tërheqjen e Trustit: Po manipulohet me propozimin, vetëm 8 për qind e llogarive janë përfituesit kryesor

“Fondi është mbledhur për mos tu zbrazur jo për tu zbrazur, duhet ti ndihmojmë të gjithëve dhe ekonomisë. Nga deputeti i opozitës shihet sa është niveli i profesionalizimit të kësaj kërkese. Dikush që sot me lehtësi sugjeron tërheqjen e 30 për qind të Trustit nesër do ta ketë të lehtë të votojë që të njëjtit të kalojnë në pronësi publike për tenderë në asfalt. Janë të njëjtit që na kanë sjellë në këtë gjendje, e që po tentojnë që edhe ato pak të mira ti rrënojnë”, u shpreh Kurti.

Kryeministri shtoi se kjo nismë fatkeqësisht ka bërë që edhe deputetët nga LDK e AAK të rreshtohen prapa nismëtarit.

“Objektivi është i njëjti, të gjitha e dinë sesa e rrezikshme për ardhmërinë e vendit është lejimi i tërheqjeve të tilla, këta duan që ky propozim të mos kalojnë. Shpresojnë që pas manipulimit të parë ku besojnë që janë pozicionuar si mbrojtës të interesave qytetare do të kenë sukses në manipulimin e dytë atë të keqpërdorimit të disa për tensione sociale, e këtu pritet tu dalë në ndihmë edhe Lista Serbe”, tha kryeministri.

Kurti shtoi se si Qeveri nuk kanë sesi e mbështesim një nismë të tillë.

“Edhe kur e kemi kundërshtuar herën e parë tërheqjen e 10% e kemi thënë se jemi kundër se hapet dera që të tërhiqen më shumë dhe ja ku jemi sot. Nuk ka fitues nga kjo mënyrë veçse dëmtime për të gjithë”, tha Kurti. /Telegrafi/

Exit mobile version