I nominuari i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti, dhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, janë takuar sot në Ambasadën Amerikane në Prishtinë me ambasadorin Greg Delawie.
Lajmin për takimin e sotëm në Ambasadën Amerikan e ka bërë të ditur Lëvizja Vetëvendosja, përmes një kumtese të postuar në Facebokk.
“Në këtë takim u vlerësua mbarëvajtja e zgjedhjeve të 11 qershorit, u diskutua procesi i formimit të institucioneve të legjislaturës së gjashtë si dhe sfidat e punët që e presin qeverinë e ardhshme dhe shtetin e Kosovës në përgjithësi”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, në takim u trajtuan shumë tema si ajo e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit, zhvillimit ekonomik dhe investimeve të diasporës, marrëdhënies së Kosovës me Serbinë etj.
“Përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje përsëritën gatishmërinë dhe interesimin e tyre për zgjerim të partneritetit dhe thellim të aleancës së Republikës së Kosovës me ShBA-të”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/