Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri, Haki Abazi, kanë pritur sot në takim komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major, Michele Risi.
Në njoftimin për media të Kryeministrisë u tha se Kurti shprehu falënderimin në emër të qytetarëve të Kosovës për rolin e vazhdueshëm të KFOR-it në sigurimin e paqes dhe stabilitetit në gjithë territorin e Kosovës.
“Në një atmosferë shumë miqësore u rikonfirmua përkushtimi për bashkëpunim të afërt ndërmjet kryeministrit dhe komandantit të KFOR-it, përbrenda mandateve që kanë… Kryeministri po ashtu, vuri theksin në qëllimin e integrimit të Kosovës në NATO si aspiratë që do të realizohet domosdoshmërisht në të ardhmen. Në këtë fazë, bashkëpunimi i KFOR-it me Ministrinë e Mbrojtjes është i një rëndësie të veçantë”, ka thënë Kurti, bëhet e ditur në njoftimin për media.
Ndërkaq, komandanti i KFOR-it theksoi se nën mandatin e tij të OKB-së, KFOR-i do të vazhdojë përpjekjet e tij për të ofruar një mjedis të qetë dhe të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjithë njerëzit e Kosovës.
Ai gjithashtu ritheksoi rëndësinë e vazhdimit të dialogut Kosovë-Serbi, si dhe angazhimin për koordinim institucional në interes të sigurisë në Kosovë.
Më pas, komandanti i KFOR-it e njoftoi kryeministrin se, nën mandatin e KFOR-it, dhe në kuadër të përgjegjësive të menaxhimit të hapësirës ajrore të autoriteteve të NATO-s, me ndihmën e Hungarisë dhe Islandës, po vazhdojnë përpjekjet për hapjen e korridoreve të reja ajrore.
Në fund të takimit, bashkëbiseduesit shprehën edhe një herë gatishmërinë për derë të hapur për komunikim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm.
Komandanti i KFOR-it i dorëzoi kryeministrit Stemën e Komandantit të KFOR-it. /Telegrafi/