Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka replikuar deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, duke i thënë se nuk është në pushtet t’i realizoj qëllimet dhe pritshmëritë e tij për dialogun Kosovë-Serbi, por të qytetarëve të Kosovës.
Kurti tutje tha se kjo seancë nuk është për dialogun e ardhshëm, por ‘diskutim për ecurinë e deritanishme për procesin e dialogut me Serbinë”.
“Kemi një problem themelor, se disa që i dëgjova kanë fol për një seancë tjetër e jo për këtë seancë, se kjo seancë nuk është për dialogun pasi pika e rendit të ditës thotë ‘diskutim për ecurinë e deritanishme për procesin e dialogut me Serbinë. Nuk është në rend dite takimi i së martës”, tha ai.
Ai po ashtu iu drejtua Hoxhajt duke i thënë: “Veç më lavdëron kur thua se nuk i kam realizuar pritjet tua”
Kurti tha se nëse nuk do ta trajtojnë dialogun e kaluar, rrezikojnë që të gabojnë sërish.
“Kjo seancë është që ne t’i nxjerrim mësimet tona për gabimet e juaja, diskutim për ecurinë e deritanishme. 10 vjet dialog të tuajën duhet ta trajtojmë për të nxjerr mësim në të ardhmen. Javën e ardhshme do të jetë takim për dialogun e ardhshëm, nuk jam duke e vazhduar punën paraprake. Çfarëdo platforme për dialogun e ri do të ishte gabim para takimit me dialogun. Kur e përpilon platformën e pranon dialogun. Prandaj ju keni bërë gabime. E kam trashëguar këtë gjendje”, u shpreh ai.
Kurit tha se nuk është duke i ikur parimeve të dialogut Kosovë-Serbi dhe asnjë sfide tjetër. /Telegrafi/