Kryeministri i vendit, Albin Kurti të mërkurën mori pjesë në shënimin e Ditës Memoriale të Policëve të rënë në kryerje të detyrës, me ç’rast u zbulua edhe pllaka me emrin heroit Enver Zymeri në Kampin e Policisë “Belvedere”.
Kurti përmes një postimi në rrjetin social në Facebook tha se të mërkurën në këtë ceremoni vendosën lule bashk me Sokolin, djalin e heroit Enver Zymerit në vendin ku ka rënë ai, 12 vite më parë.
Kryeministri po ashtu u shpreh se dëshira e Sokolit që t’i ndjek hapat e babait të tij i jep shpresë se rinia e Kosovës do t’i shërbejë vendit.
“Bashkë me Sokolin, djalin e heroit Enver Zymeri, vendosëm dje lule të freskëta në vendin ku ka rënë ai, këtu e 12 vite më parë.
Enverin do ta kujtojmë gjithmonë sepse përpjekja e tij vetmohuese është edhe e jona: Kosovën e lirë ta bëjmë me sovranitet të plotë, pa krim e korrupsion, me jetë cilësore për të gjithë, pa dallim.
Sytë e Sokolit janë veç dritë. Dëshira e tij për t’i ndjekur hapat e babait, na jep shpresë se rinia jonë do t’i shërbejë vendit. /Telegrafi/