Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se sot u angazhua i gjithë populli i Kosovës, në ndihmë të qytetarëve të Shqipërisë pas tërmeteve të ndodhura.
Kurti në një postim në llogarinë e tij në Facebook ka shkruar secili aktivist i Lëvizjes është vënë në dispozicion për të ndihmuar, dhe se sipas tij kanë mbledhur ndihma, shtroja e tesha, tenda e barna, ushqime e gjësende të ndryshme dhe se kamionat e ambulancat janë nisur për Shqipëri, e të tjera ende vazhdojnë të nisen.
Postimi i plotë:
Ditë e rëndë për kombin tonë, ditë kur të gjithë jemi pranë familjarëve të viktimave e pranë popullit të Shqipërisë.
Me shpresën që tërmetet të mos vazhdojnë, ne sot u angazhuam si gjithë populli i Kosovës, në ndihmë të motrave e vëllezërve tanë në Shqipëri. Unë i shpreha solidaritetin tonë presidentit dhe kryeministrit të Shqipërisë, si dhe kryetarit të PD-së, kurse zyrtarë të Lëvizjes kanë kontaktuar me ministrat, kryetarët e shtabeve të emergjencës, duke ofruar ndihmën tonë.
Qysh prej orëve më të para të mëngjesit secili aktivist i Lëvizjes është vënë në dispozicion për të ndihmuar. Secili aktivist tash është vullnetar. Kemi mbledhur ndihma, shtroja e tesha, tenda e barna, ushqime e gjësende të ndryshme, po ashtu edhe mjekë e infermierë vullnetarë. Kamionat e ambulancat janë nisur për Shqipëri, e të tjera ende vazhdojnë të nisen.
Bashkë, forcojmë njëri-tjetrin.
Ndryshe si pasojë e këtyre tërmeteve në Shqipëri, numri i të vdekurve shkon në 20 dhe 600 të lënduar. Ndonëse dridhjet janë ndier shumë edhe në Kosovë, nuk ka pasur raportime për të lënduar, por është konfirmuar se dy vëllezër nga Kosova janë nxjerrë të vdekur nga rrënojat e hotelit të shembur në Durrës./Telegrafi/