Site icon Telegrafi

Kurti: Dita Tokës e ka gjetur botën dhe Kosovën në gjendje të rëndë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka shkruar se Dita e Tokës e ka gjetur botën dhe Kosovën në një situatë jonormale.

Kurti ka shkruar se sot, njerëzimi para vetes ka dy sfida të mëdha, parandalimin dhe luftimin e pandemisë së virusit COVID-19 dhe parandalimin e katastrofës mjedisore.

Kryeministri në detyrë ka theksuar se pandemia na ka detyruar të ndalojmë të gjitha aktivitetet.

Postimi i plotë:

Dita e Tokës (nën pandemi)
Gjysmë shekulli më parë, më 22 prill 1970, të indinjuar e të shqetësuar për dëmin që po i bëhej natyrës, me iniciativën e Senatorit Gaylord Nelson, 20 milionë amerikanë vërshuan rrugët në protestë kundër shkatërrimit të mjedisit. Nisma që ata e quajtën Dita e Tokës shënoi lindjen e lëvizjes moderne për mjedisin. 20 vjet pas, kjo nismë u shndërrua në lëvizje globale e cila për herë të parë mobilizoi 200 milionë njerëz në 141 vende në botë. E, 30 vjet më vonë, në vitin 2000, thua se po e parashikonin shekullin 21 si shekull për mjedisin, u mobilizuan më shumë se 1 miliard njerëz e mbi 5 mijë organizata për mbrojtjen e mjedisit në mbi 190 shtete përfshirë edhe Kosovën.

50 vjetori i Ditës së Tokës e ka gjetur botën në një situatë jonormale. Sot, njerëzimi para vetes ka dy sfida të mëdha, parandalimin dhe luftimin e pandemisë së virusit COVID-19 dhe parandalimin e katastrofës mjedisore. Ndonëse e para u shfaq papritur e na gjeti të papërgatitur, e dyta ka kohë që po troket në dyert tona. Pandemia COVID-19 është një kujtesë e ashpër se mohimi i fakteve shkencore dhe ngadalësimi i marrjes së masave i kushton shumë njerëzimit dhe planetit tonë.

Këto dy sfida kanë vënë në test edhe qeverinë tonë dhe kapacitetet tona si shtet për të reaguar në situata emergjente e të pazakonshme. Siç u sfiduam me pandeminë njësoj mund të sfidohemi me ndonjë katastrofë mjedisore. Prandaj, është e rëndësishme që të angazhohemi në mbrojtjen e bjeshkëve që janë shkatërruar nga prerjet e parregullta të drunjve dhe nga nxjerrja e gurëve, në ndalimin e degradimit të lumenjve dhe restaurimin e tyre, në kontrollimin e gurëthyesve dhe ndalimin e betonizimit të tokës bujqësore. Kapja e shtetit ka dëmtuar rëndë edhe natyrën. Prandaj, duhet të ndodh çkapja e shtetit për t’u shpëtuar natyra dhe vendi nga ndonjë katastrofë e mundshme ekologjike.

Dita e Tokës 2020 e ka gjetur Kosovën dhe tërë botën në një gjendje të rëndë. Pandemia na ka detyruar të ndalojmë të gjitha aktivitetet. Ndonëse kjo po ndikon negativisht në funksionimin normal të shoqërisë si dhe në zhvillimin normal të ekonomisë vendore e botërore duhet të shohim edhe anën pozitive: atë që mund të jetë një shans për të rivlerësuar e riimagjinuar të ardhmen tonë kolektive, shansin për të krijuar botën e re përmes lidhjes sonë të shëndetshme me natyrën që duhet ta ruajmë. /Telegrafi/

Exit mobile version