Site icon Telegrafi

Kurti diskutoi me Odën Tregtare Kosovaro-Turke për mundësitë e investimeve në Kosovë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka mbajtur sot takim konsultues me anëtarë të Odës Tregtare Kosovaro-Turke, me të cilët diskutoi për mundësitë e investimeve në Kosovë.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, në këtë takim Kurti ka theksuar përkushtimin e Qeverisë për nxitjen e investimeve nëpërmjet zhvillimit të qëndrueshëm dhe të shpejtë ekonomik e social, dhe tolerancës zero ndaj krimit dhe korrupsionit.

Kryeministri Kurti i njoftoi afaristët për kushtet e të bërit biznes në Kosovë.

Ai potencoi stabilitetin politik, rritjen më të madhe ekonomike në rajon, politikat fiskale që po dizajnohen për të ardhmen, rininë më të madhe me përqindje të popullsisë në krejt Evropën dhe mërgatën më patriotike.

Për mërgatën, kryeministri tha se është e ngjashme me diasporën turke në Gjermani dhe me diasporën irlandeze në Amerikë.

Ky është viti i parë kur në kanalet zyrtare, diaspora jonë do të dërgoj mbi 1 miliard euro, pa përfshirë këtu paratë kesh që i sjellin me vete, tha kryeministri Kurti dhe shtoi se remitancat e diasporës në Kosovë janë mbi 20 për qind të bruto produktit vendor.

“Ndoshta diaspora irlandeze e turke sjellin më shumë para në vendlindje, por nuk besoj në këtë raport me bruto produktin vendor e buxhetin e shtetit”, tha ai.

Kryeministri Kurti tha se Kosova e ka shkallën e ultë të inflacionit e cila paraqet rrezik të ultë për investitorët, dhe është importuese e madhe e mallrave të Turqisë. Kemi një raport diku eksport-import me Turqinë 1 me 40, tha ai, gjersa theksoi rëndësinë e rritjes së eksportit me Turqinë.

“Ne ofrojmë huazim të tokave nga 10 deri në 99 vjet dhe shmangim tatimin e dyfishtë dhe gjithashtu i eliminojmë procedurat e gjata burokratike, me ç’rast në secilën komunë mund të hapet biznesi për vetëm tri ditë”, tha kryeministri.

Afaristët u njoftuan edhe për funksionimin e zonave të veçanta ekonomike me infrastrukturë dhe lehtësira administrative, si në Drenas, Mitrovicë, Shtime, Therandë, Lipjan, Gjakovë dhe në Prizren me Parkun e Trajnimit dhe Inovacionit.

Në takim ishin të pranishëm Zëvendëskryeministri për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ministrja e Ministrisë për Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion, Rozeta Hajdari, Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, Ministri i Ministrisë për Zhvillim Rajonal, Fikrim Damka, shefi i stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi, ambasadori i Turqisë në Kosovë, Çağrı Sakar dhe kryetari i Odës Tregtare Kosovaro-Turke, Abdurrahman Balkiz./Telegrafi/

Exit mobile version