Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti ambasadorin Wolfgang Petritsch, president i Fondacionit Austriak të Planit Marshall, njëherit ish i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për Kosovë, në vitet 1998-‘99 dhe kryenegociator i Bashkimit Evropian në Konferencën e Rambujesë.
Ambasadori Petritsch dhe kryeministri Kurti diskutuan për proceset dhe zhvillimet politike në rajon dhe në Kosovë.
Ndër të tjera, u shkëmbyen mendime për takimin e 15 qershorit në Bruksel për dialogun e ri ndërmjet Kosovës e Serbisë dhe propozimet e kryeministrit Kurti.
U diskutua edhe për rëndësinë e bashkëpunimit dhe koordinimit në mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për një proces që garanton njohjen reciproke në mes Kosovës dhe Serbisë.
Kryeministri ritheksoi se takimi ishte takim për dialogun e ardhshëm i cili duhet të jetë i qartë e parimor, dhe dialog për statusin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve. /Telegrafi/