Site icon Telegrafi

Kurti dhe Vuçiq takohen më 19 korrik në Bruksel

Takimi i dytë i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq do të mbahet më 19 korrik (e hënë) në Bruksel, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano, i cili në një konferencë për medie tha se ky takim do të përqendrohet në diskutimin e progresit të arritur deri më tani dhe hapat e ardhshëm të dialogut

“Ka progres sepse fakti që këto takime vazhdojnë është një shenjë e progresit. Ne jemi duke përparuar nga një takim në tjetrin dhe me të vërtetë, unë mund të konfirmoj se siç ka thënë përfaqësuesi i lartë, do të ketë një takim të nivelit të lartë midis presidentit serb, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti këtë muaj, në fakt, do të jetë të hënën, më 19 korrik. Përfaqësuesi i lartë Borrell do të presë një raund tjetër të takimit të nivelit të lartë. Në kornizën e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit mbështetur nga ShBA dhe Lajçak, ky takim i nivelit të lartë i dialogut do të përqendrohet në diskutimin e progresit të arritur deri më tani në diskutimin, hapat e ardhshëm dhe rrugën përpara në dialog, i cili është, siç e dini, shumë i rëndësishëm për perspektivën evropiane të Kosovës dhe Serbisë”, tha ai, transmeton KP.

Stano tha se përmes këtyre takimeve shpresojnë të arrihet një progres dhe të afrohen palët për të gjetur konsensusin dhe kompromisin për të arritur marrëveshjen gjithëpërfshirëse.

“Takimet janë pjesë e procesit që po vazhdon, dhe procesi është i përqendruar në arritjen e një marrëveshje të përbashkët të pranueshme, juridikisht të obligueshme, gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve, midis Kosovës dhe Serbisë, Dhe me çdo takim ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë që ne si Bashkim Evropian po organizojmë dhe ndërmjetësojmë, aq më afër procesit jemi. Nuk ka ndonjë regres, gjë që është e rëndësishme, dhe pasi që ky është një progres, nuk më takon mua të komentoj mbi fazat individuale dhe takimet e këtij procesi, sepse duhet shikuar kontekstin e përgjithshëm dhe qëllimin e përgjithshëm për të cilin shpresojmë të përparojmë, dhe për të cilin të gjitha këto takime synojnë t’i afrojnë të dy palët për të gjetur konsensusin dhe kompromisin e ndërsjellë të pranueshëm, për të arritur marrëveshjen gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme për normalizimin e marrëdhënieve”, tha ai.

Takimi i parë i nivelit të lartë në dialogun Kosovë-Serbi është mbajtur më 15 qershor, derisa javën e kaluar delegacionet e dy shteteve në nivel të ekspertëve janë takuar në Bruksel.

Javën e kaluar në Bruksel janë takuar zëvëndëskryeministri i Kosovës për dialog, Besnik Bislimi me drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

As në këtë takim nuk është arritur ndonjë përparim.

Pala serbe insiston që Kosova të zbatojë marrëveshjen e Brukselit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, derisa pala e Kosovës vlerëson se përgjatë dialogut janë nënshkruar një mori marrëveshjesh që nuk respektohen plotësisht nga Serbia, duke përfshirë lirinë e lëvizjes, njohjen e diplomave, kontrollet kufitare, dhe çështje tjera.

Dialogu mes dy vendeve ka nisur më 2011 në Bruksel. /Telegrafi/

Exit mobile version