Telegrafi

Kurti dhe shefi i misionit të Luksemburgut në Kosovë bisedojnë për rritjen e punësimit dhe aftësimit profesional në vendin tonë

Kryeministri Albin Kurti gjatë takimit me shefin e misionit të Luksemburgut, Eric Dietz kanë biseduar për rritjen e punësimit dhe aftësimit profesional në Kosovë.

Sipas njoftimit, po ashtu u fol edhe për reformat në drejtësi, procesin e vettingut, si dhe luftimin e krimit e korrupsionit.

“U bisedua për përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për arsimin dhe aftësimin profesional, në shërbim të rritjes së punësimit për qytetarët e Republikës së Kosovës. U theksua rritja ekonomike prej 4.9 për qind në tremujorin e parë të këtij viti, si tregues shtesë, që demokracia cilësore shkon bashkë me zhvillimin ekonomik. Gjatë takimit u fol edhe për reformat në drejtësi, procesin e vettingut, si dhe luftimin e krimit e korrupsionit”, thuhet në njoftim.

Në fund, Kurti ka falënderouar Dietzin për marrëveshjen e re bilaterale dhe memorandumin e bashkëpunimit me Qeverinë e Luksemburgut që parasheh përkrahje financiare për Kosovën. /Telegrafi/