Telegrafi

Kurti dhe Qeriqi flasin për mirëqenien e invalidëve të luftës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim kryetarin e Këshillit për mbrojtjen e të drejtave të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Xhevdet Qeriqi, së bashku me anëtarët e këtij këshilli.

Rritja e mirëqenies së invalidëve të luftës ishte tema e këtij takimi, ku morën pjesë edhe Aziz Bici, këshilltar i kryeministrit për çështje të kategorive të dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe anëtarët e këshillit për mbrojtjen e të drejtave të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hyzri Musliu, Sefedin Zuka dhe Naim Gashi.

Sipas një komunikate të Qeverisë, u bisedua për mundësitë e shtimit të bashkëpunimit, për të përmirësuar gjendjen e invalidëve të luftës, me gjendje të rëndë shëndetësore.

“U theksua domosdoshmëria e rritjes së bashkëpunimit me institucione shëndetësore lidhur me trajtimin dhe marrjen e shërbimeve shëndetësore për invalidët e luftës”, thuhet në komunikatë.

Kryetari i Këshillit e falënderoi kryeministrin për pritjen dhe theksoi gatishmërinë për bashkëpunim me Qeverinë dhe institucionet përkatëse. /Telegrafi/