Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim lamtumirës Ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, të cilin e falënderoi për punën, angazhimin, mbështetjen dhe bashkëpunimin gjatë gjithë mandatit të tij , si dhe për kontributin e tij të çmueshëm në ruajtjen dhe përparimin e marrëdhënieve të shkëlqyeshme.
Ambasadori falënderoi kryeministrin për mikpritjen, komunikimin e rregullt dhe bashkëpunimin e afërt.
Sipas Qeverisë, u vlerësua angazhimi i përbashkët me qëllim përmirësimin në jetën e qytetarëve dhe bizneseve, si dhe lehtësimin e problematikave të mbartura ndër vite, në fushat e sigurisë, tregtisë, drejtësisë, arsimit e kulturës.
U theksuan marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, nënshkrimi i gjithsej 184 marrëveshjeve, protokolleve e memorandumeve, si dhe niveli i zbatueshmërisë së marrëveshjeve të deritanishme.