Telegrafi

Kurti dhe Konjufca homazhe në Prekaz, thonë se çdo pozitë e lartë institucionale duhet të themelohet mbi kthimin dhe rikthimin te Jasharët

Albin Kurti vizitën e parë si kryeministër e bëri në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Kurti nga Prekazi i shoqëruar nga ushtruesi i detyrës së presidentit Glauk Konjufca si dhe kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, ka thënë se çdo pozitë e lartë institucionale duhet të themelohet mbi kthimin dhe rikthimin te Jasharët dhe te Prekazi.

“Pas pranimit të detyrës si kryeministër i ri i Republikës së Kosovës, si rezultat i votimit të mbrëmshëm në Kuvendin e Republikës mbajtëm mbledhjen e parë ceremoniale të qeverisë të kabinetit tonë të ri dhe menjëherë erdha këtu në Prekazin heroik e historik bashkë me presidentin në detyrë dhe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca dhe me kryetarin e Komunës së Skenderajt dhe djalin e heroit Hamëz Jashari, Bekim Jashari”, ka thënë Kurti.

Ai po ashtu tha se kanë vendosur kurora me lule te 59-të të rënët në Epopenë e UÇK-së më 5,6 dhe 7 mars të vitit 1998.

“Vendosëm kurora me lule të freskëta te varri i Adem dhe Hamëz Jashari dhe bëmë homazhe te gjithsej 59 të rënët në Epopenë e UÇK-së më 5,6 dhe 7 mars të vitit 1998 të këtyre tre brezave të cilët u flijuan për çlirim e për liri, pavarësi e bashkim. Çdo herë kur marrim detyra të rëndësishme shtetërore, çdo pozitë e lartë institucionale duhet të themelohet mbi kthimin dhe rikthimin te Jasharët dhe te Prekazi, te ky kryeqytet i kryengritjes sonë kombëtare. Lavdi gjithë heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të kombit falë të të cilëve ne sot jemi edhe të gjallë dhe gëzojmë lirinë që kemi”, tha ndër të tjera Kurti.

Ndërsa, u.d i presidentit Konjufca tha se ka nderin që të përkulet para sakrificës së familjes Jashari.

“Kemi nderin që të përkulemi para sakrificës së madhe të familjes Jashari. Të marrim forcë se si të vazhdojmë e të ecim përpara, meqënëse ky është vendi ku në vitin 1998 kombi shqiptar u ringjall. Sakrifica e familjes Jashari e lëvizi botën…”, tha Konjufca. /Telegrafi/