Kryeministri Albin Kurti ka pritur sot në zyrën e tij ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde.
Sipas njoftimit nga Kryeministria, në takim u diskutua për proceset zgjedhore, që së fundmi u mbajtën në Kosovë dhe në Gjermani, për rëndësinë e formimit të institucioneve të dala nga zgjedhjet respektive dhe vazhdimin e bashkëpunimit Kosovë-Gjermani e thellimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy vendeve.
Më 09.02.2025, Kosova mbajti Zgjedhjet e rregullta parlamentare.
Në bazë të rezultateve të fundit preliminare, të përditësuara në orën 10:27, më 20.02.2025, në uebfaqen e KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) është e para me 40.80%, apo 342,254 vota.
Partia e dytë me më së shumti vota është Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 22.05% e votave, apo 184,936 vota.
E treta është renditur Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 17.64%, apo 147,928 vota.