Kryeministri Albin Kurti gjatë takimit me ambasadorin e Finlandës në Kosovë, Matti Nissinen kanë folur për mundësinë e themelimit të Odës Ekonomike Nordike në vendi tonë.
Sipas njoftimit, bëhet e ditur se ata të dy biseduan për zhvillimet në vend dhe rajon dhe për bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet Kosovës dhe Finlandës.
“Në shërbim të thellimit të bashkëpunimit, sidomos të marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare, kryeministri Kurti mirëpriti iniciativën për hapjen e Odës Ekonomike Nordike në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund gjatë një interviste për Telegrafin kishte theksuar se është momenti i duhur të hapet Oda Suedeze e Bizneseve.
Ai ka theksuar se ka interes nga kompanitë suedeze që të vijnë në Kosovë.
“Unë mendoj se duhet të janë disa organizata biznisore, si Oda Suedeze e Tregtisë, Oda Nordike e Bizneseve apo disa nga këto format e shoqatave të biznesit, që mund të ndihmojnë dhe informojnë ndërmarrjet suedeze se si mund të hapin biznese në Kosovë. Është shumë e rëndësishme”, ka theksuar ai. /Telegrafi/